Kryeministri britanik Rishi Sunak premtoi të hënën rritjen e shpenzimeve ushtarake me 6 miliardë dollarë gjatë dy viteve të ardhshme, në përgjigje të sulmit të Rusisë në Ukrainë dhe “sfidës epokale” nga Kina.
Rritja buxhetore, pjesë e një rishikimi madhor të politikave të jashtme dhe të mbrojtjes së Britanisë, është sidoqoftë më pak se ç’kishin kërkuar zyrtarët e mbrojtjes. Zoti Sunak tha se Britania do t’i rrisë shpenzimet ushtarake në nivelin 2.5% të prodhimit të brendshëm bruto “në periudhën afatgjatë”, por nuk caktoi një datë për këtë. Aktualisht, Britania shpenzon pak mbi 2% të PBB-së dhe drejtuesit ushtarakë dëshirojnë që kjo shifër të rritet në 3%.
Fondet shtesë do të përdoren pjesërisht për të plotësuar rezervat me municione të Britanisë, që u përdorën për të furnizuar Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia. Një pjesë e fondeve do të shkojë për marrëveshjen Britani-SHBA-Australi për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore.
“Bota është bërë më e paqëndrueshme, kërcënimet ndaj sigurisë tonë janë shtuar”, i tha zoti Sunak kanalit BBC gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. “Është e rëndësishme që të mbrohemi nga këto”.
Britania ka hartuar për herë të fundit një kornizë të mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme, të njohur si Rishikimi i Integruar, në vitin 2021.
Qeveria urdhëroi një përditësim në përgjigje të një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme. Raporti i ri, i publikuar të hënën, thotë se “ekziston një perspektivë në rritje që mjedisi i sigurisë ndërkombëtare do të përkeqësohet më tej në vitet e ardhshme, me kërcënimet shtetërore që rriten dhe diversifikohen në Evropë dhe më gjerë”.
Sulmi rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 ndryshoi rendin evropian të sigurisë dhe dokumenti i rishikuar thotë se Rusia përbën “kërcënimin më akut për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar”.
Britania është gjithashtu gjithnjë e më e shqetësuar për atë që qeveria e quan “sfida përcaktuese epokale e paraqitur nga aktiviteti gjithnjë e më shqetësues ushtarak, financiar dhe diplomatik i Partisë Komuniste Kineze”.
Dokumenti i rishikuar i mbrojtjes thotë se “kudo që veprimet dhe objektivi i deklaruar i Partisë Komuniste Kineze kërcënojnë interesat e Mbretërisë së Bashkuar, ne do të ndërmarrim veprime të shpejta dhe të fuqishme për t’i mbrojtur ato”.
Agjencitë britanike të zbulimit kanë shprehur shqetësim në rritje për fuqinë ushtarake të Kinës, aktivitetet e fshehta dhe demonstrimin e forcës ekonomike. Ken McCallum, kreu i agjencisë së kundërzbulimit MI5, tha në nëntor se “aktivitetet e Partisë Komuniste Kineze paraqesin sfidën strategjike më madhore për Mbretërinë e Bashkuar”. MI5 tha në janar 2022 se një avokat me bazë në Londër ishte përpjekur të “ndërhynte fshehurazi në politikën e Mbretërisë së Bashkuar” në emër të Partisë Komuniste Kineze – përfshirë nëpërmjet kanalizimit të parave te një ligjvënës i Partisë Laburiste të opozitës.
Shqetësimi në lidhje me aktivitetet e Pekinit ka ndezur një fushatë të gjerë qeveritare për Kinën, përfshirë trajnimin në gjuhën kineze për zyrtarët britanikë dhe një shtytje për të siguruar burime të reja të mineraleve jetike që janë thelbësore për teknologjinë.
Dokumenti i rishikuar nuk e cilëson Kinën vetë një kërcënim për Mbretërinë e Bashkuar dhe zoti Sunak ka theksuar nevojën për lidhje ekonomike me Kinën, duke krijuar kështu kundërshti nga anëtarët e vijës më të ashpër të Partisë Konservatore në pushtet.
“Po rrëshqasim drejt një Lufte të re të Ftohtë,” tha ligjvënësi konservator Tobias Ellwood, i cili kryeson Komisionin e Mbrojtjes të Dhomës së Komuneve. “Kërcënimet po rriten, por këtu ne vazhdojmë me një buxhet për kohë paqeje”.
Duke folur teksa udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara, zoti Sunak tha se qeveria komuniste e Kinës “është gjithnjë e më autoritare brenda vendit dhe më kategorike jashtë vendit – dhe ka dëshirën për të ndryshuar formën e rendit botëror”.
Por, shtoi ai, “nuk mund ta injorosh Kinën” duke patur parasysh madhësinë e ekonomisë së saj.
“Është e drejtë të angazhohemi me Kinën, për çështjet që mund të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe ku mund të bëjmë ndryshimin, për shembull për klimën, shëndetin global, stabilitetin makroekonomik”, tha ai. “Kjo është qasja e duhur, ndërsa tregohemi energjikë në mbrojtjen e vlerave dhe interesave tona”.
Top Channel