Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku ka bërë me dije se është miratuar dhe ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për ndërtimin e Urës së Bunës, projekt për të cilin dha detaje mbi ndërtimin.
Ajo tha se ndërtimi i urës shkon rreth 1.5 mld lekë dhe se shpenzimet do të ndahen 50 me 50 mes dy vendeve.
“Kaluam një nga aktet më të rëndësishme që ka të bëje me marrëdhënien mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Mali të Zi, u ratifikua kjo marrëveshje që u vendos në mbledhjen e dy qeverive më 27 shkurt. Bëhet fjalë për urën që do të ndërtohet mbi lumin Bunë, që do të ndryshojë të gjithë mënyrën e komunikimit mes dy vendeve që kanë 34 kilometra plazhe që duhen aksesuar si nga qytetarët shqiptarë edhe malazezë, të cilët duhet të bëjnë rreth 1.5 orë rrugë ndërsa me ndërtimin e urës 310 metra do të shkurtohet vetëm në 2 minuta. Me ndërtimin në Urën e Bunës, një urë që është 310 metra, do të përshkrohet vetëm në 2 minuta, duke ju dhënë mundësi vizitorëve që janë numra të konsiderueshëm. Bëhet fjalë për mbi 360 mijë turistë që lëvizin dhe mbi 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë. Kjo është një punë dhe një investim që do të bëhet duke e ndarë investimin mes 2 vendeve. Parashikohet që investimi të shkojë rreth 1,5 miliardë Lekë, që do të ndahen 50 me 50 mes vendeve tona. Keni nisur nga puna që projektimi, dokumentacioni dhe çdo gjë tjetër të kryhet nga FSHZH-ja sa më shpejt”
Top Channel