Ukraina dhe Rusia janë duke raportuar për humbje të mëdha, pasi bombardimet kanë vijuar sërish në qytetin Bahmut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se forcat ruse janë përballur me më shumë se 1.100 vdekje në ditët e fundit, dhe ka më shumë njerëz të plagosur.
Rusia ka raportuar se ka vrarë më shumë se 220 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase në 24 orët e fundit. Por ende këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga pala ukrainase.
Çfarë nënkupton për Ukrainën marrja nën kontroll e Bahmutit nga rusët?
Analistët kanë deklaruar se Bahmuti ka vlerë të vogël strategjike, mirëpo e ka marrë vëmendjen kryesore të komandantëve rusë, të cilët janë në kërkim të ndonjë lajmi pozitiv për Kremlinin.
Marrja e qytetit nën kontroll do t’i ndihmonte Rusisë në jetësimin e synimit të saj për të kontrolluar gjithë rajonin ukrainas të Donjeckut.
Donjecku është një prej katër rajoneve në lindje dhe jug të Ukrainës, që është aneksuar nga Rusia në shtatorin e vitit të kaluar, pas referendumeve që Perëndimi i ka konsideruar të rreme.
Para luftës, në Bahmut kanë jetuar rreth 70.000 njerëz, mirëpo tani vetëm pak mijëra kanë mbetur aty. Sikurse Rusia, edhe Ukraina i ka dhënë Bahmutit rëndësi politike, pasi Zelensky e ka kthyer qytetin në emblemë të rezistencës.
Sipas vlerësimeve të Perëndimit, mes 20.000-30.000 trupa ushtarake ruse janë vrarë apo janë plagosur deri më tani, në apo rreth Bahmutit. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Top Channel