Mitrovica në gjendje e rëndë ekonomike: Shtohen përfituesit e ndihmës sociale! 

11/03/2023 16:08

Papunësia e lartë dhe mungesa e zhvillimit të industrisë konsiderohen si faktorë kryesorë për gjendjen e rënduar sociale dhe ekonomike sot në Mitrovicë.

Të dhënat zyrtare flasin për 2 mijë e 131 familje përfituese të skemës së ndihmës sociale në këtë komunë. Shefja e Drejtorisë për Integrime Europiane dhe Mirëqenie Sociale në këtë qytet, Drita Ibrahimi, e cilëson situatën si mjaft të vështirë.

“Gjendja socio-ekonomike në komunën tonë është mjaft e rëndë… Numri i familjeve përfituese të ndihmave sociale në komunën e Mitrovicës së Jugut është 2 mijë e 131. Ky numër ndryshon nga muaji në muaj pasi vlerësohet sipas kritereve të parashtruara… Nje faktor i këtij numri të lartë është se Mitrovica ka qenë dhe është qytet industrial, numri më i madh i punëtorëve ka qenë i punësuar në fabrikat e gjigantit ‘Trepça’… Si shkak tjetër i numrit të madh të përfituesve të ndihmave sociale është edhe papunësia, pastaj është faktori politik gjithsesi…“- tha Drita Ibrahimi, Drejtoria për Mirëqënie Sociale.

Sociologu Ramadan Beshiri kujton se Mitrovica kishte një ekonomi mjaft të fortë përpara dhe ndryshimet që ndodhën pas tij, kanë ndikuar në nivelin social të popullsisë. Problemi politik në këtë qytet, sipas tij, ka ndikuar negativisht tek investitorët e huaj duke përkeqësuar kështu edhe situatën e qytetarëve.

“Mitrovica vjen nga një ekonomi shumë e fuqishme para luftës dhe ky ndryshim i madh që ka ndodhë nga paslufta në Mitrovicë ka ndikuar në masën e popullsisë dhe nivelin e tyre social… Normalisht gjendja fragjile në mes dy popujve ose konflikti ndëretnik i cili ka mbetur peng me Mitrovicën e veriut dhe të jugut ku një urë ndanë dy popuj të armiqësuar, ka luajtur një rol shumë negativ në thithjen e investitorëve. Do të thotë investitorët kanë hezituar të investojnë këtu, andaj qyteti ka mbetur në një gjendje goxha të mjerueshme nga aspekti social…”– tha Ramadan Beshiri, Sociolog

Ekonomisti Nysret Maxhera mendon se zgjidhja për këtë gjendje është t`I propozohet të gjitha strukturave drejtuese të vendit orientimi drejt zhvillimit industrial, duke mobilizuar të gjitha mjetet financiare në dispozicion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA