Mijëra të mbijetuar, ende në nevojë për ndihmë një muaj pas tërmeteve shkatërrimtare në Turqi (fotot)

11/03/2023 19:09

Një muaj pas tragjedisë së tërmeteve shkatërrimtare në Turqi dhe Siri, qindra mijëra njerëz janë ende në nevojë për strehim dhe kushte higjenike, teksa një apel zyrtar për 1 miliardë dollarë ndihma për krizën, ka arritur në vetëm 10 përqind të shumës.

Tërmetet dhe pas-tronditjet e forta kanë vrarë më gati 47,000 njerëz në Turqi, kanë shkatërruar ose dëmtuar 214,000 ndërtesa e duke lënë qindra mijëra të pastrehë, në katastrofën më të rëndë të Turqisë moderne.

Tërmetet gjithashtu kanë vrarë rreth 6,000 njerëz në Siri, kryesisht në zonën rebele në kontroll të rebelëve.

Rreth 2 milionë të mbijetuar janë në strehime të përkohshme ose të evakuar nga zonat e shkatërruar prej tërmeteve, sipas shifrave të qeverisë turke.

1.5 milionë prej tyre janë vendosur në tenda, ndërsa rreth 50 000 të mbijetuar janë vendosur  në banesa konteinerësh. Të tjerë janë sistemuar në fjetore shkollash e hotele, thotë qeveria e Ankarasë.

“Duke parë numrin e madh të të zhvendosurve, të të plagosurve dhe masën e shkatërrimit, kemi nevojë të madh për ndihma humanitare”, tha sot Alvaro Rodriguez, koordinatori OKB për Turqinë.

“Kemi provinca ku është zhvendosur 25 përqind e popullatës, nganjëherë kjo arrin në gjysmë milioni, për ta ne duhet të sigurojmë ushqim, strehim  e ujë”, shtoi ai.

OKB tha se tendat janë ende nevoja parësore si zgjidhja më optimale e strehimit.

Rodriguez shtonte: “Turqia është vendi që priti 4 milionë sirianë nga lufta e viteve të fundit dhe tani është një mundësi për komunitetin ndërkombëtar të kthejë favorin që Turqia meriton”.

Banka Botërore llogarit se tërmeti shkaktoi dëme në vlerën $34.2 miliardë, ndërsa shtonte se kostot e rindërtimit do të jenë akoma më të larta.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili përballet me zgjedhje parlamentare e presidenciale në maj, ka premtuar të rindërtojë qindra mijëra banesa për të mbijetuarit brenda vitit./ Associated Press/

FOTO GALERI
2/3
Rreth 2 milionë të mbijetuar janë në strehime të përkohshme ose të evakuar nga zonat e shkatërruar prej tërmeteve, sipas shifrave të qeverisë turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA