Ka qenë një takim i shumë mediatizuar ai i presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen në Shtëpinë e Bardhë, ku dy liderët botërore diskutuan tema nga të rëndësishmet e të ngutshme e momentit.

Një prej tyre, ishte ajo e raporteve Kosovë-Serbi. E pyetur nga gazetarët nëse folën për dialogun Prishtinë Beograd, shefja e KE-së u shpreh se e prekën edhe këtë çështje.

E kemi prekur këtë temë shkurt… Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë.  Nuk është e lehtë dhe ende ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por e rëndësishme është se po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët.“- u shpreh Von Der Leyen.

Propozimin Europian, von der Leyen e përshkroi si një plan të mirë në tryezë, ndërsa nënvizoi se shpreson në konstruktivitetin e të dyja palëve. Këmbëngulja aktuale e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, është më e madhja prej se palët kanë nisur bisedimet për këtë qëllim në vitin 2011.

Dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e propozimit, por tani duhet hartuar udhërrëfyesi për zbatimin e tij, e kjo është arsyeja përse u kërkua takimi i Albin Kurtit dhe Alaksandër Vuçiçit në Ohër në 18 mars. Ditët e fundit, ka pasur deklarata kontradiktore nga dy palët. Kryeministri i Kosovës u shpreh i gatshëm ta nënshkruajë propozimin europian, ndërsa president serb tha se nuk do të firmosë “kapitullimin e vendit të tij”.

Top Channel