Iran dhe Arabia Saudite, dy nga fuqitë rivale, prodhuese të mëdha të naftës në Lindjen e Mesme, kanë pranuar të rivendosin marrëdhëniet dhe të hapin ambasadat reciproke, shtatë vjet pas ndërprerjes së tyre.
Marrëveshja vjen pas disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Kina, të mbajtura në Pekin, zbulohet se fundmi.
“Si rezultat i bisedimeve, Irani e Arabia Saudite kanë pranuar të rinisin marrëdhëniet diplomatike dhe të hapin ambasadat … brenda dy muajve”, njoftonte agjencia shtetërore iranian IRNA duke cituar nga deklarata e përbashkët.
Riadi kishte ndërprerë marrëdhëniet me Teheranin pasi protestuesit në Teheran sulmuan ambasadën saudite aty në vitin 2016 pas ekzekutimit të klerikut të njohur musliman ‘shia’ Nimr al-Nimr, nga Arabia Saudite. Rivaliteti mes Iranit me shumicë muslimane Shia, dhe Arabisë Saudite me shumicë suni, ka dominuar prej vitesh në Lindjen e Mesme, në konflikte të rënda si ato në Jemen, Irak, Liban e Siri.
“Pas përgatitjes së marrëveshjes, ministrat e jashtëm të të dy vendeve do të përgatiten për këmbimin e ambasadorëve”, thonin mediat iraniane.
Mediat saudite gjithashtu konfirmonin marrëveshjen, duke thënë se dy vendet pranonin të respektonin sovranitetin e njëra-tjetrës dhe të mos ndërhynin në punët e brendshme.
Në marrëveshje shtohej se Riadi e Teherani pranonin të aktivizonin një marrëveshje bashkëpunimi sigurie të nënshkruar në 2001.
Në konfliktin e rëndë të Jemenit, sauditët mbështesin qeverinë e njohur nga perëndimi gjatë luftës civile tetë-vjeçare, por janë përpjekur të gjejnë një rrugëzgjidhje me bisedime private në Oman më palën kundërshtare, shkruan britanikja The Guardian.
Top Channel