Takimi mes presidentes Vjosa Osmani, të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka përfunduar.

Lajçak po zhvillon një takim  me zv.kryeministrin Besnik Bislimi.

Më herët në godinën ku u zhvillua takimi është parë edhe ambasadori i Amerikës, Jeff Hovenier.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, ku Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani tha se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë pritet të takohet me krerët e institucioneve shtetërore dhe me ata të partive opozitare. Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd vjen pas takimit të 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut po ashtu u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel