Kosova drejt liberalizimit të vizave, Rama: Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja

09/03/2023 13:51

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur hapin pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE-së për rrugën e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Ai e konsideron një hap të vonuar padrejtësisht me vite dhe që u hodh sot nga BE-ja.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, shkruan Rama.

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

 

Top Channel