Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian i dhanë dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Vendimi u miratua që “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi më herët për këtë kishin rënë dakord mes tyre përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare. Vendimi vulos përfundimisht datën e nisjes së liberalizimit të vizave si koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), dhe që është jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Deri vonë besohej se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të ishte 1 nëntori i këtij viti, por ky afat u shty për 2024-tën. Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS. Kur të hyjë në fuqi sistemi, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet. Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.

Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm. Tashmë ata nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, që mbyllet më 31 qershor. 1 janari i 2024-tës është afati fundor, pasi nëse sistemi bëhen gati, ai mund të hyjë në fuqi edhe më herët.

Top Channel