Afrimi lokaleve të 14 Majit, aktivizon Big Brotherin e zgjedhjeve shqiptare, Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri Yuri Kim, në ditën e nisjes së procesit të regjistrimit për këtë garë elektorale, partive politike parlamentare i çoi zarfin me porositë e qeverisë amerikane.
Ndalesa e parë në selinë e PS me Damian Gjiknuri sekretar i përgjithshëm i kësaj force politike, i cili dha këto detaje se çfarë bisedoi me Yuri Kim.
“Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Gjiknuri.
Yuri Kim nuk iu drejtua selisë blu ku ndodhet Sali Berisha edhe pas vendimit te gjykatës qe e zhveshi si kryetar.
Diplomatja amerikane zgjodhi një territor asnjanës për të takuar partinë më të madhe opozitare, e njëkohësisht në dërgimin e një mesazhi se kë njeh SHBA në krye të PD. Ai është Enkelejt Alibeaj të cilin e takoi në Kryesinë e Kuvendit.
“Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri. Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR”,tha Alibeaj.
Ish-presidentin Ilir Meta, tashmë në krye të një partie politike të riformatuar me timonin më shumë djathtas se sa tradicionalisht majtas, Yuri Kim e takoi në zyrat e ish LSI-së tashmë me logot e reja të Partisë së Lirisë.
Në këtë takim Ilir Meta konfirmoi vullnetin e Partisë së Lirisë për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve europiane, që do t’i jepnin fund monizmit siç e quajti ai në pushtetin lokal.
Në përfundim të takimeve ambasada e shteteve të bashkuara njoftoi se zonja Kim iu kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it dhe rekomandimet. Sipas të cilave:
“Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet. Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor. Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë”.
Ambasada bëri të ditur se drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Top Channel