Një kompani që prodhon paisje për votimin elektronik që ka ngritur një padi ndaj rrjetit Fox News po argumenton se drejtuesit e korporatës Fox, Rupert dhe Lachlan Murdoch luajtën një rol kryesor në përhapjen e pretendimeve të rreme se teknologjia që përdor kompania e privoi ish-presidentin Donald Trump nga fitorja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Kompania Smartmatic tha se Rupert dhe Lachlan, i biri i tij, si autoritetet më të larta në korporatën ku bën pjesë rrjeti televiziv, “udhëzuan televizionin Fox News të lejonte dezinformimin pas zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA, një vendim për hir të biznesit.”
“Rupert dhe Lachlan Murdoch ishin në qendër të vendimit për të mbrojtur dhe lehtësuar fushatën e dezinformimit të ndërmarrë nga Fox News pas zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA,” shprehet kompania Smartmatic në padinë e saj që e paraqiti të hënën, si pjesë e çështjes për shpifje kundër rrjetit konservator.
Fox News dhe korporata Fox nuk kanë komentuar për këto akuza, të cilat bëhen pasi një gjykatë apeli në Nju Jork përjashtoi korporatën Fox nga padia, por e lejoi atë të vazhdojë kundër rrjetit televiziv, drejtueseve të emisioneve Maria Bartiromo dhe Jeanine Pirro dhe ish-drejtuesit Lou Dobbs. Padia e re e kompanisë Smartmatic ripohon pretendimet kundër korporatës Fox, duke i mbështetur ato me akuza të reja kundër drejtuesve të saj kryesorë, Rupert dhe Lachlan Murdoch.
Akuzat bazohen në njoftimet e mediave dhe paditë e një rasti tjetër shpifjeje kundër rrjetit televiziv nga një kompani tjetër që prodhon makineri votimi, Dominion Voting Systems.
Në një padi në çështjen e kompanisë Dominion që së fundmi u bë publike, Rupert Murdoch pranoi se ai nuk ua ndaloi komentatorëve të rrjetit Fox News të përhapnin pretendimet e pabazuara të aleatëve të zotit Trump se rezultati i zgjedhjeve ishte manipuluar, edhe pse mund ta kishte bërë një gjë të tillë. Ai gjithashtu pranoi se disa nga drejtuesit e emisioneve të rrjetit – Lou Dobbs, Maria Bartiromo, Jeanine Pirro dhe Sean Hannity – herë pas here përqafuan pretendimet e rreme.
Edhe disa nga figurat më të njohura të rrjetit kishin shprehur privatisht mosbesim në pretendimet e bëra nga aleatët e zotit Trump, e megjithatë i përhapën këto pretendime në emisionet e tyre.
Zyrtarët federalë dhe shtetërorë të zgjedhjeve, analizat e hollësishme në shtetet vendimtare dhe vetë prokurori i përgjithshëm i administratës së ish-presidentit Trump nuk gjetën asnjë manipulim të përhapur që mund të kishte ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Pretendimet e zotit Trump për manipulime janë hedhur poshtë gjithashtu nga dhjetëra gjykata, përfshirë edhe gjyqtarë të emëruar prej tij./Voa
Top Channel