Në ditën Ndërkombëtare të Gruas, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka dhënë mesazhin e saj të urimit, bashkë me një apel drejtuar vajzave dhe grave shqiptare.

Mesazhit sensibilizues i janë bashkuar  edhe ambasadorja e Greqisë, Ambasadorja e Suedisë, Ambasadorja e Francës, e Izraelit, e Zvicrës, e Polonisë, dhe koordinatorja e OKB-së në Shqipëri.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne gratë Ambasadore nderojmë ato që luftuan për të drejtën e votës së grave. I bëjmë thirrje grave të votojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale më 14 maj. Jepini vlerë votës tuaj për shërbime më të mira lokale”, thuhet në këtë video-mesazh.

Ambasadorja Yuri Kim bashkë me Komandanten e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit Gjeneral brigade Lisa Hou diskutuan për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në sektorët më prioritarë të mbrojtjes.

“Siguria në Europë nuk është thjesht çështje e grave por përfshin edhe gratë. Këto momente ne jemi duke u përballur me sfida kritike. Është mbushur 1 vit nga pushtimi rus në Ukrainë. Ne në SHBA besojmë se fëmijët tanë duhet të jetojnë në një botë të lirë, të hapur, të sigurt dhe me prosperitet”, tha Yuri Kim.

“Ne jemi krenar të kemi një alete si Shqipëria në NATO dhe jemi po ashtu krenarë t’ju shohim ju duke bërë përparim drejt anëtarësimit në BE”, shtoi ajo.

Yuri Kim u kujtoi grave ushtarake thënien e Skënderbeut se “Bashkimi bën Fuqinë”.

Top Channel