Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani këtë të martë, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit, të cilin kreu i qeverisë e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.
Samiti në kuadër të procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
“Prandaj gëzohem që ti re dakord në tetor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë përparuar. Në 16 tetor samiti do të të zhvillohet. Në këtë mënyrë, Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historisë thuajse 10 vjeçare të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari.
Kancelari Scholz gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Ramën tha se marrëveshja Kosovë-Serbi është e rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
“Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikoni edhe deklaratat publike të Vuçiçit dhe Kurtit është përparim, përballë shumë kohëve të mëparshme, ky është një plan që duhet të realizohet, jam i gëzuar që të arrijmë në rezultate konstruktive, prandaj për mua tani mund të bëhet realitet ajo që s’ishte e mundur deri tani do të ishte mirë për zhvillimin e rajonit, Kosovën dhe Serbinë”, tha kancelari gjerman.
Nga ana tjetër, Rama u shpreh se e mbështet fuqimisht planin e paqes, që sipas tij sjell normalizimin e nevojshëm që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajën e domosdoshme.
“Kemi folur për procesin e integrimit dhe sfidat e tij, ka shumë për punë për të bërë, kemi diskutuar sesi Gjermania mund të na ndihmojë për të gjithë atë makineri të përgatitjeve të ligjeve për tu adoptuar me BE. Kemi diskutuar edhe për rajonin, ne e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan shumë përmbajtësor dhe realist, që sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajon e domosdoshme. Më vjen mirë që dot mund të shpallim edhe datën, 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë ngushtë së bashku”, tha Rama nga Berlini.
Kryeministri Rama do të takohet ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.
Rama do të vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.
Top Channel