Kundër propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, djathtistët në Serbi dalin në protestë

07/03/2023 22:18

Në Beograd, këtë të martë, djathtistët protestuan kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Protesta u mbajt jashtë ndërtesës së Fakultetit të Filozofisë.

Thirrja për protestë u bë përmes rrjetit rus, Telegram, nga organizata e paregjistruar ultra e djathtë “Patrulla Popullore” që edhe më herët kishte organizuar protesta për të kundërshtuar politikat e qeverisë serbe ndaj Kosovës.

Folësit në protestë u prezantuan si studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Beogradit.

Stefan Simonoviç, që u prezantua si student i Fakultetit të Filozofisë në Beograd, tha se propozimi evropian nënkupton “fundin për Serbinë”.

“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha negociatave dhe diskutimeve për propozimin franko-gjerman”, tha ai.

Propozimi evropian njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehën gatishmërinë e tyre që ta zbatojnë këtë propozim, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Protestuesit e mbledhur në Beograd brohoritën “tradhti”, “nuk do të heqim dorë nga Kosova” dhe përdorën shprehje ofenduese ndaj Vuçiçit dhe shqiptarëve në Kosovë.

Pas adresimit para Fakultetit të Filozofisë, protestuesit marshuan në rrugët e Beogradit dhe u ndalën para ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS), nga ku kërkuan “një opinion ndryshe, jo vetëm që Kosova është humbur” gjatë transmetimit në këtë kanal shtetëror.

Protestuesit para RTS-së brohoritë “serbët, rusët vëllezër gjithmonë”, “Serbia për serbët”. Disa prej protestuesve mbanin flamuj të Rusisë.

Flamujt rusë, simboli Z, si simbol që përdoret nga Rusia gjatë pushtimit të Ukrainës – dhe simbolet e grupit të mercenarëve rusë, Wagner, shpesh shihen në protestat e djathtistëve në Serbi.

Pavarësisht faktit se Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Zyrtarët në Beograd e justifikojnë mosvendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, me mbështetjen që Rusia i jep Serbisë sa i përket Kosovës, si anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe, propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel