Deputeti Ervin Saljani paraqiti kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri nga trupa gjyqësore e Apelit për gjyqin e çështjes Babale.
“Edhe sot si qindra herë të tjera në dyert e gjykatës, edhe sot si qindra herë të tjera nuk u paraqita për çeshtjet e mia personale, aq me pak e ndonjë përfitimi personal apo shkelje të ligjit! Isha aty pasi denoncova publikisht qeverinë për lehtësimin dhe favorizimin që i bën grupeve kriminale në trafikur e drogës! E bëja dhe do ta bëj atë betejë të drejtë dhe të duhur edhe me rriskun e një sakrifice personale shumëdimensionale për të përfaqësuar votuesit opozitarë dhe për të mbrojtur interesin e Shqipërisë!
Kjo çështje është e montuar politikisht, e di i madh dhe i vogël në Shqipëri, e dinë dhe e flasin kudo tanimë dhe prokurorët dhe gjyqtarët që u gënjyen nga regjimi që nëse shkelnin ligjin do favrizoheshin në kalimin e Vetingut, si shumë të tjerë të gënjyer nga qeveria dhe prokurorë e gjyqtarë që sajuan këtë çështje, të gjithë pa asnjë përjashtim ishin aq të zhytur sa u shkarkuan nga Vettingu!
Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar në atë periudhë e denoncoi fort dhe ish Ministri i Brendshëm u shkarkua, i dyti me radhë për favorizim të krimit të organizuar por për ti shpëtuar fytyrën regjimit filloi hakmarrja politike dhe çështja ndaj meje dhe gazetarit u montua, manipulua dhe sajua, dëshmitari llum, kontigjent i policisë u kap në përgjimet e prokurorisë kur paguhej nga drejtorët e policisë për të shmangur hetimin nga trafikantët dhe lidhjet e qeverise me trafikantët e drogës!
Kam marrë përherë kosto për të mbrojtur me forcë interesin publik dhe të votuesve që më kanë mbështetur dhe zgjedhur, kam mbrojtur shokët, miqtë e kolegët në çdo rast duke mos shitur asnjëherë interesat e Shqipërisë dhe opozitës, jam mësuar që të bëj beteja të drejta pavarësisht kostove dhe me çdo kosto, asnjëherë për interes personal dhe përherë në interes të qytetarëve”, tha Salianji.
Me një vendim fajësie që i rëndon prej vitit 2019 dhe nuk ka marrë formë të prerë, Ervin Salianji nisi përballjen me Prokurorinë e Apelit që ngul këmbë se ai kreu kallëzim të rremë në dosjen Babale së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.
Dosja që tronditi politikën në atë kohë dhe që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafës sipas prokurorisë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin X dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.
Por Albert Veliu, njohur ndryshe si Babalja u largua për azil politik, kurse bashkëpunëtori i tij Fredi Alizoti i vetmi që bëri burg sipas gjykatës së apelit u tërhoq nga apelimi mbasi e ka vuajtur dënimin.
Në këto kushte politikani Salianji pret të jetë dyfish i akuzuar jo vetëm nga prokuroria por edhe nga njeriu të cilin ai e akuzoi, Geron Xhafa për të cilin Gjykata e Apelit kërkoi të njoftohet për nisjen e procesit mbasi ka statusin e viktimës dhe të dëmtuarit.
Top Channel