Zbulohen detaje të reja nga grabitja e kambistit në Durrës/ Si autorët arritën t’i merrnin një milionë lekë të rinj

06/03/2023 14:30
Foto Ilustruese

Janë zbuluar detaje të reja nga grabitja e kambistit në Durrës në mes të ditës. 

Ngjarje e cila çoi në arrestimin e shoferit të automjetit që u përdor prej autorit, ndërsa ende një person mbetet i paidentifikuar nga policia. Grabitja ka ndodhur mesditën e së dielës pranë filialit të postës shqiptare, te tregu i hapur i këmbimit valutor.

Një person rreth 35 vjeç i është afruar kambistit dhe i ka kërkuar të futet në automjet pasi donte të shkëmbente një shumë të konsiderueshme valute. Më pas i ka kërkuar shoferit të lëviznin në një vend tjetër për të mos rënë në sy. Automjeti ka lëvizur drejt Katund Sukthit ku nën kërcënimin e thikës të vendosur në gjoks, kambistit 58-vjeçar nga Durrësi i është vjedhur çanta me para në vlerën e mbi 1 milion lekëve të rinj.

Pasi i ka marrë paratë, autori e ka hedhur jashtë mjetit në ecje kambistin pikërisht në Katund Sukth dhe është larguar. Menjëherë i grabituri ka njoftuar policinë për ngjarjen. Shërbimet policore kanë mundur të identifikojnë dhe kapin shoferin dhe kanë sekuestruar edhe automjetin, një “Volkswagen” i zi, i përdorur për vjedhjen me dhunë të 58-vjeçarit.

Sipas policisë së Durrësit, i arrestuari është drejtuesi i automjetit që u përdor për të kryer vjedhjen, por në polici, shoferi 63-vjeçar, banues në Durrës, ka deklaruar se nuk e njihte autorin. Ai ka pretenduar se autori e ka marrë si taksist dhe e ka kërcënuar edhe atë me thikë.

Ndaj të arrestuarit është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Vjedhje me dhunë”, në bashkëpunim, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA