
Katër amerikanë janë marrë peng në verilindje të Meksikës, tha sot në një dekalratë agjencia federale e hetimit, FBI.
Shtetasit amerikanë po kalonin kufirin në Matamoros në shtetin e Tamaulipas në një furgon të bardhë më 3 mars, kur sulmues të paidentifikuar i ndaluan duke qëlluar me armë automatike.
“Të gjithë amerikanët që ishin në automjet u morën nga sulmuesit e armatosur”, tha FBI në deklaratën e saj, teksa agjencitë meksikane dhe të SHBA po hetojnë mbi incidentin e rëndë.
Tamaulipas është një nga gjashtë shtete në Meksikë për të cilin departamenti amerikan i shtetit ka këshilluar të mos udhëtohet prej nivelit të lartë të krimit dhe pengmarrjeve.
Amerikanët ishin duke udhëtuar në një furgon me targa të Karolinës së Veriut, shkruante FBI, por pa dhënë emrat e të zhdukurve.
Matamoros gjendet në anën tjetër të kufirit nga qyteza e Brownsville, Texas.
Zyrtarët thanë se dhe më parë grupe kriminale kanë shënjestruar autobusë e makina me qëllim pengmarrjet në zonën ku aktiviteti policisë është i kufizuar.
Top Channel