Nga 1 prilli, qeveria ka vendosur rritjen e pagës minimale në 40 000 lekë. Nga 2013, nëpërmjet këtij instrumenti paga minimale është rritur me 60% nga 24 mijë lekë.
Por rritja që do aplikohet së fundmi me 6 mijë lekë është më e larta në 27 vite.
Sipas ekspertëve të punësimit ndërhyrja është pozitive, por sipas tyre ndryshimi i shpeshtë kërkon më shumë planifikim dhe transparencës.
“Duhet që të planifikohen më parë sepse janë edhe disa biznesmenë që bëjnë llogaritë. Përveç disa subvencionimeve të vogla që do marrë industria e agropërpunimit dhe bujqësia, ata kanë rritje kostosh, sepse do subvencionohen vetëm për sigurimet shoqërore. Pyetja e çdo njeriu është pse gjithmonë rritjet janë kaq të shpeshta dhe kaq të vogla, si dhe problemi i dytë është transparenca. Pra, pse rritje në 4000 lekë dhe jo 4500. Çdo vendim që merret duhet të shihet në një sistem më kompleks sesa me syrin populist“, thotë Erald Pashaj.
Me ndërhyrjen në pagën minimale ndryshon sërish edhe skema e taksimit progresiv, ndërsa rritet kufiri i pagës maksimale. Ekspertët mendojnë se skema ka nevojë për rishikim
“Ka ardhur koha që të rishikohet tërësisht skema e taksimit mbi të ardhurat personale me gjithë këto arnime që janë bërë ndër vite. Skema jonë është shumë kompleks nga ana administrative dhe është shumë e padrejtë për shtresën e mesme. Skema e taksimit po shkon në një nivel me skemën e pensioneve. Sot, nuk ka një individ në Republikën e Shqipërisë që të nxjerrë pensionin e tij vetë. Të ketë aftësinë që të ulet dhe të thotë unë kam paguar kontribute 35 vjet, sa më del pensioni”, shpjegon Pashaj.
Qeveria e afroi në kohë vendimin nisur edhe nga kushtet e inflacionit, pasi fillimisht parashikonte që ky nivel page të arrihej në fund të 2024-ës. Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë tek mbi 35% e forcës punëtore në vend, kjo rritje do shëndoshë edhe skemën e pensioneve.
Top Channel