Rama: Të gjithë në zgjedhje/ Deklarata e kryeministrit për pjesëmarrjen e partive në zgjedhjet e 14 majit

06/03/2023 15:00

Vizitën në Tiranë të kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen, kryeministri Edi Rama e quajti të veçantë dhe historike pasi është e para e një niveli të tillë në vendin tonë.

Megjithëse e përsëriti se për çështje të brendshme nuk flet kur ka në krah partner ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama, shfaqi zero shqetësim për pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

“Nuk më rezulton që do të ketë ndonjë parti që nuk do të hynë në zgjedhje. Të gjithë do të hyjnë si Çeço. Ata do të hyjnë për qytetarët”, tha Rama.

Kryeminisrja e Danimarkës foli për aspektet bashkëpunuese mes dy vendeve.

“Ju jeni një nga zërat më të fortë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë, midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës. Shqipëria është një partner i vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një partner mjaft i besuar i NATOS. Duam të ndërtojmë edhe një partneritet më të fortë mes Danimarkës dhe Shqipërisë. Ne mund të bashkëpunojnë në fusha si arkitektura dhe rindërtimi. Shoh shumë fusha ku mund punojmë sëbashku”, u shpreh Frederiksen.

Ne tha kryeministrja Frederiksen, mund të bëjmë më shumë në shtimin e ardhjes së danezëve për turizëm në Shqipëri.

Top Channel