Një prej dy autorëve që grabisnin një kambist në Durrës është arrestuar.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin e përdorur për vjedhjen me dhunë të 58-vjeçarit që pas ngjarjes ka bërë denoncim në polici. Operacioni policor i koduar “Dinamika” u organizua pasi kambistit në Durrës i morën, me forcë dhe nën kërcënimin e një thike, një shumë parash.
Sipas policisë së Durrësit, i arrestuari është drejtuesi i automjetit që u përdor për të kryer vjedhjen dhe që u sekuestrua nga Policia e Durrësit, në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë kallëzim nga shtetasi S. H., 58 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, se 2 shtetas të paidentifikuar e kishin marrë në një automjet dhe duke e kanosur me mjet prerës (thikë), i kishin vjedhur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar.
Menjëherë pas këtij kallëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të këtij rasti, konkretisht i shtetasit Vladimir Rusi, 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi, njëkohësisht bashkëpunëtor i të arrestuarit.
Nga hetimet paraprake të kryera për këtë rast, rezulton se 63-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë marrë shtetasin S. H., në automjetin që drejtohej nga Rusi, dhe duke e kanosur atë, me thikë, i kanë marrë shumën 1 000 000 lekë dhe më pas janë larguar.
Top Channel