Arrestohet anëtari i një grupi kriminal në Durrës/ Siguronte mjete për vrasje dhe shpërndante heroinë

06/03/2023 08:55

Një operacion policor i koduar “Pjesëtari” çoi në pranga një të dyshuar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe autor i disa veprave penale.

Pas një hetimi 17-mujor me metoda speciale hetimi, është kapur  dhe ndaluar Denis Shahini,  pjesëtari i një grupi kriminal.

34 vjeçari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për vjedhje, ishte i shpallur në kërkim, në kuadër të procedimit penal të nisur në shtator të vitit 2021, për një sërë veprash penale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

34-vjeçari është banues në fshatin Shahinaj të  Durrësit.

Nga hetimet e kryera gjatë këtij procedimi, u siguruan prova se ky shtetas ishte pjesëtar i një grupi kriminal në Durrës dhe se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht të lëndës narkotike heroinë. Në një nga episodet, konkretisht më  4 prill rë vitit të kaluar, është arrestuar në Vlorë, shtetasi P. H., dhe ka rezultuar se lëndën narkotike të llojit heroinë që iu gjet këtij shtetasi, ia ka shitur shtetasi D. Shahini.

Për këtë shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, më datë 01.03.2023, kishte lëshuar urdhër ndalimi, për veprat e mësipërme penale.

Nën drejtimin e prokurorisë, po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky shtetas, kryesisht të shpërndarjes së drogave të forta, të veprimeve të kryera për llogari të grupit kriminal, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA