Ka përfunduar procesi i votimit në komunën e Tuzit në Malin e Zi.

Tashmë ka nisur procesi i numërimit për të zgjedhur fituesin. Ky proces zhvillohet në ato qendra ku qytetarët shprehën vullnetin e tyre me votë, prandaj rezultati do të dalë për rreth 1 orë.

Në garë janë shtatë kualicione për 32 mandate. Koalicioni që fiton më shumë këshilltarë fiton të drejtën për të përcaktuar kryetarin e komunës për 4 vitet e ardhshme.

Ditën e sotme në Tuz të Malit të Zi, komunë me shumicë shqiptare, u mbajtën zgjedhjet vendore ku garojnë katër koalicione dhe tre forca politike të pavarura.

Këto janë zgjedhjet e dyta, pasi komuna fitoi pavarësinënga Podgorica, katër vite më parë.

Nik Gjeloshaj, kërkon të marrë një mandat të dytë me koalicionin “Forumi Shqiptar, Bashkim e Zhvillim”.

Ai ka mbledhur pjesën më të madhe të forcave politike shqiptare në Mal të Zi pavarësisht se ende shqiptarët vazhdojnë të jenë të shperndarë madje duke përfaqësuar edhe partinë e presidentit Milo Gjukanoviç.

Këto zgjedhje konsiderohen si shumë të rëndësishme në komunën që mbizotërohet nga shqiptarët për shkak edhe të klimës jo fort të mirë kohët e fundit dhe trysnisë anti-shqiptare.

Për këtë, nga Amerika, kanë mbërritur me qindra shqiptarë, vetëm për të marrë pjesë në votime.

Top Channel