Kryetari Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se më 14 maj PS jo vetëm që do të fitojë bindshëm por kjo gjë do t’i bëjë nder edhe opozitës, pasi “do ta çlirojë nga një pengmarrje kaq shumë vjeçare”.
Gjithashtu Balla u shpreh se emri që do të propozojë për Kryetar Bashkie në Fier do të jetë ai i Armando Subashit.
“Zyrtarisht Partia Socialiste është regjistruar në zgjedhjet e 14 Majit me objektivin e vetëm të një fitoreje bindëse jo vetëm në Fier, por në të gjithë Shqipërinë sepse kjo është përgjigja më e mirë që ne mund t’i japim kundërshtarëve tanë, të cilët sikur kemi dashur gjithmonë i kemi të dy bashkë nën një kësulë Saliun dhe Ilirin. Rezultatin e 14 Majit nuk do ta krahasojmë me votat që do të marrim kundrejt kundërshtarit tonë, ne do ta krahasojmë me objektivin tonë që tashmë është i qartë , që në vitin 2025 ne duam 10 mandate në qarkun e Fierit.
Unë do të propozoj Armandon si kandidat për Kryetar bashkie, por dua që ne të jemi si një ekip me njëri-tjetrin, kemi një detyrë shumë të madhe, që ta shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe. Për ne si socialist ata janë një përfitim i madh që i kemi përball, për Shqipërinë janë një dëm i madh. Dhe e vërteta është që Shqipëria ka më shumë rëndësi sesa partia ndaj duhet që ta shpëtojmë edhe Shqipërinë. Sepse një fitore e thellë e Partisë Socialiste në 14 Maj do t’i shërbejë më së miri edhe opozitës, do ta çlirojë dhe opozitën nga një pengmarrje kaq shumë vjeçare”- tha Balla nga Fieri.
Top Channel