Veliaj me përfaqësues të shoqatave të hotelerisë: 2022, viti i turizmit dhe investimeve të mëdha

04/03/2023 15:28

Në një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave të hotelerisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh krenar për rritjen që ka pësuar industria e turizmit gjatë viteve të fundit.

Veliaj vuri në dukje se ky sektor punëson mbi 64 mijë vetë që punojnë në kryeqytet.

“Më kujtohet Tirana e para disa viteve, kur nuk kishte asnjë ‘brand’ hotelesh me 5 yje. E dyshoj se pa këto hotele do të kishim edhe koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, Konstantinos Argiros, që ishte këtu para disa javësh, etj. Sepse në një vend ku ti performon, duhet të kesh edhe komoditetin e nevojshëm pritës. Kjo vlen edhe për pritjen e një pafundësi shoqëruesish e delegacionesh, siç ishte rasti i delegacioneve të 27 vendeve të BE, plus Komisioni Evropian dhe 6 vendet e Ballkanit. Pa këto hotele do ta kishim të pamundur t’i prisnim”.

Kreu i Bashkisë shpjegoi se vetëm në 5 vitet e fundit, numri i djemve dhe vajzave që janë punësuar nga kjo industri është tepwr i lartw. Sipas tij, ky është një lajm shumë i mirë, teksa shtoi numri i turistëve vitin e kaluar kapi shifrën e rreth 4 milionë e gjysmë vizitorësh.

“Në strukturat hoteliere, të mëdha e të vogla, punojnë mbi 64 mijë vetë. Kjo është një gjë e mirë apo e keqe? Unë them se kjo është gjë e mirë. Imazhi i strukturës është baraz me imazhin e Tiranës dhe të Shqipërisë. Nëse kjo industri sulmohet, anatemohet, paragjykohet, shahet, përgojohet, ky është marketingu më i keq që mund t’i bëjmë vendit tonë.

Një turist, i cili vjen në fundjavë në Tiranë, nuk i del koha të shkojë edhe në Shëngjergj. Në fakt, vetëm 1 në 1000 mund t’i dalë koha të shkojë në Shëngjergj, por pjesa më e madhe do e njohë Shqipërinë dhe Tiranën nga hoteli ku qëndron. Kjo do të thotë se imazhi i strukturës hoteliere është i barabartë me imazhin e Tiranës dhe të Shqipërisë”.

2022 për Tiranën mund të cilësohet si viti i turizmit dhe i investimeve të mëdha.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA