“Ndihma e Shokut”, kompozim nga Skënder Kamberi u prezantua këtë të shtunë në emisionin “ArtKand”.
Fatos Lubonja i ftuar në studio, tregon se ekspozita është bërë rreth viteve ’50, por për t’iu përshtatur rregullave të diktaturës, janë bërë disa ndërhyrje. Duhej që çdo krijim të kishte frymë optimiste, thotë Lubonja, duke treguar se në vepër është shtuar brigade.
“Kjo më kujtoi një histori të asaj kohe, kur vepra Akoma nuk ishte ekspozuar. Besoj se kanë qenë vite ’60 kur është ekspozuar. Kur bëheshin këto ekspozita, ka pasur një lloj komisioni i ngritur me artistë, të cilët vizitonin studio e piktorëve dhe shikonin çfarë kanë bërë për të përzgjedhur, por ndonjëherë ishin të porositur një pjesë. Gjithsesi, partia kërkonte ta shikonte se çfarë do të ekspozonte.
Dhe kjo më kujton këtë histori, që ndoshta e di nga im at, që kur shkuan në studion e Kamberit, e panë këtë. Di që ky ishte një partizan i plagosur, që duket sikur është duke vdekur, i vetmuar, në mes të borës. Dhe i thanë që kjo është pesimiste. Ndërkohë që fryma e socialistëve ishte optimizmi, e ardhmja. Dhe atëherë, siç e di unë historinë, për t’i future një optimizëm, futi atë brigadën që po vjen. Duket që po vijnë shokët. I ka futur një frymë optimiste”.
Megjithatë, nuk e di a u ekspozua, këtë nuk e kujtoj, tregon Lubonja.
Vepra, me përmasat 1200 x 90 centimetër shitet në “ArtKand”, me çmimin fillestar 5000 euro.
Top Channel