Oqeani Paqësor/ Vanuatu, kombi më i prirur ndaj fatkeqësive natyrore preket nga tërmeti dhe ciklonet binjake

03/03/2023 17:02

Kombi i Paqësorit, Vanuatu, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pasi është përfshirë nga një tërmet dhe dy ciklone në po aq ditë.

Tërmeti me magnitudë 6.5 goditi të premten, një ditë pasi cikloni i kategorisë së katërt Judy përfshiu ishujt. Stuhia shkaktoi dëme të mëdha dhe përmbytje në të gjithë vendin. Ende nuk raportohet për viktima.

 

Një stuhi e kategorisë së tretë, cikloni Kevin, mbërriti të premten, duke sjellë erëra shkatërruese deri në 130 km/h. Qindra njerëz ishin larguar në qendrat e evakuimit në kryeqytetin Port Vila përpara ciklonit të dytë. Punonjësit e ndihmës e kanë përshkruar situatën si të paprecedentë.

Ndërkohë thuhet se stuhia e së mërkurës kishte rrëmbyer çatinë e një pavioni të foshnjave në Spitalin Qendror të Vanuatu. Cikloni Judy përmbyti rrugët dhe shkuli pemët pasi preu një shteg nga veriu në jug përmes ishullit.

Shteti i Paqësorit ka kërkuar tashmë ndihmë nga fqinjët. Australia tha të premten se do të dërgonte ujë dhe furnizime mjekësore dhe një ekip punëtorësh për të vlerësuar dëmin. Zelanda e Re gjithashtu ka premtuar ndihmë.

Vanuatu, një vend me rreth 300,000 banorë, është renditur kombi më i prirur ndaj fatkeqësive natyrore nga Kombet e Bashkuara. Vendet e Paqësorit si Vanuatu kanë qenë në ballë të betejave ligjore për ndryshimet klimatike në vitet e fundit pasi rritja e nivelit të detit, acidifikimi i oqeanit dhe rritja e shpeshtësisë dhe ashpërsisë së fatkeqësive natyrore janë ndjerë në mënyrë të mprehtë në të gjithë rajonin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta