Rusia i është rikthyer sulmeve me raketa që shënjestrojnë infrastrukturën civilë në Ukrainë.
Ushtria ruse ka intensifikuar goditjet ndaj Bahmutit gjatë 24 orëve të fundit, duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi mbrojtësit ukrainas në rajonin lindor të Donjeckut. Ndërkohë, bombardimet gjatë natës në Zaporizhja i kushtuan jetën të paktën tre civilëve, ndërsa një pallat mësohet të jetë shkatërruar krejtësisht..
Mbi 170 aksione të ofensivës ruse kanë zmbrapsur forcat e Kievit, sipas shtabit të përgjithshëm. Mësymja ka qenë e fortë në lindje dhe verilindje të vendit, ku u regjistruan më shumë se dyfishi i sulmeve krahasuar me një ditë më parë.
Veç Bahmutit, në shënjestër kanë qenë edhe zona të tjera si Lymani, Avdijvka dhe Shakhtarsku. Qëllimi i Moskës, sipas Kievit, është avancimi drejt Bahmutit për të marrë kontrollin e tij.
Forcat ruse kanë nisur sulme të shumta të këmbësorisë me synimin të rrethojnë e shkëpusin linjat e furnizimit. Raportohet ndërkohë, se brenda Bahmutit ka ende me dhjetëra mijëra civilë.
Më herët, kancelari gjerman Olaf Scholz të enjten i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj.
Në një fjalim në parlamentin gjerman, prej ku foli për vitin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, Scholz tha se ishte zhgënjyese që Pekini ishte përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, megjithëse ai përshëndeti përpjekjet e tij për të mos lejuar përshkallëzim bërthamor.
Top Channel