Me njoftimin e fundit, Rusia zgjoi frikën e një rikthimi të krizës së çmimeve pasi paralajmëroi se mund të mos e zgjasë marrëveshjes për grurin në Detin të Zi, nëse nuk zgjidhen shqetësimet e prodhuesve të saj bujqësorë.
Marrëveshja e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, që u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, përfundon këtë muaj. Moska sakaq, e ka bërë të qartë se është e pakënaqur me disa aspekte të saj, dhe mund të mos e nënshkruajë përsëri.
“Vazhdimi i marrëveshjes së paketës për grurin është i mundur vetëm nëse merren parasysh interesat e prodhuesve bujqësorë rusë dhe një qasje pa pengesa në tregjet botërore”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme ruse.
Ujdia që lejon eksportin e sigurt të grurit nga portet e Ukrainës, u vulos korrikun e vitit të kaluar. Falë saj u arrit të sigurohej një korridor i mbrojtur kalimi detar, i projektuar të lehtësonte mungesat globale të ushqimit duke lejuar rifillimin e eksporteve nga tri porte ukrainase, çka ndihmoi zbutjen e krizës së çmimeve.
Ukraina është prodhuesi i shtatë më i madh i grurit në botë. Në vitin 2021, eksportet ukrainase të grurit vlerësoheshin në 5.1 miliardë dollarë, me Egjiptin, Indonezinë, Turqinë, Pakistanin dhe Bangladeshin si destinacionet kryesore.
Top Channel