Dan Hutra, vrasësi i tre grave një ditë më parë ka dëshmuar në polici se nuk është penduar.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat ka arritur  të mësojë se çfarë ka thënë Hutra para policisë.

Dëshmia e Dan Hutrës: Qëkur rashë në burg kisha vetëm një qëllim, të vrisja kush më ka rënë në qafë. Sapo kam dalë nga burgu kam nisur të planifikoj vrasjet. Shkoja dhe vija çdo ditë nga Kukësi dhe vëzhgoja personat. Sigurova armën dhe makinën me qira derisa u poqën kushtet që t’i vrisja. Nuk pendohem sepse vdekjen e kanë merituar jo vetëm ato por edhe të tjerë që s’munda dot t’i gjeja. Unë nuk kisha asnjë qëllim në jetë vetëm t’u merrja jetën atyre që më kanë hyrë në hak.

Dan Hutra, rreth mesditës së mërkurës tronditi kryeqytetin me 3 ngjarje të ndryshme kriminale duke lënë pas 3 gra të vrara dhe 3 të tjera të plagosura në më pak se një orë. Gjakftohtë dhe i armatosur ai u përlesh fillimisht me Marjana Gurakuqin ne Astir duke tentuar t’i marrë paratë duke e lënë atë të plagosur me thikë në dorë.  Më pas ai  shkoi në banesën e familjes së ish bashkëshortes së tij Elena Hysës në zonën e kodër Kamzës ku qëlloi me breshëri drejt grave të familjes.

Dan Hudra është afruar në oborrin e banesës së familjarëve të ish-gruas së tij dhe ka qëlluar me breshëri automatiku duke lënë pa jetë motrën e gruas dhe nusen e vëllait të saj dhe plagosi ish bashkëshorten dhe nënën e saj.  Gjakftohtë pasi kreu krimin ai u largua i armatosur me mjetin e tij Benz.

Të pajeta në vendin e ngjarjes mbetën Mevlude Hysa dhe Hasime Dafku ndërsa në spital po marrin ndihmë mjekësore Elena e Kujtime Hysa.

Me këtë mjet që shihet në këtë foto Dan Hutra u largua nga vendngjarja jo për tu arratisur por për të kryer një tjetër krim në rrugën “Besëlidhja” në Kamëz pa u ndeshur me asnjë pikë kontrolli apo patrullë policie.

Sipas dëshmitarëve një automjet i zi ka përshkruar rrugën “Beslidhja” në Kamëz dhe është pozicionuar buzë banesës së Etleva Kurtit dhe ka qëlluar drejt saj 3 herë duke e lënë të vdekur në vend 31-vjeçaren e cila ndodhej në oborr. Në ikje autor ka hedhur në vendngjarje armën e krimit.

Policia dyshon se pas këtij krimi mund të jetë Dan Hutra për shkak të konflikteve e që kishte me vëllanë e viktimës Vladimit Kurti në burg ku ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për grabitje me pasojë vdekjen. Megjithatë analizimi i gëzhojave, armës së zjarrit e provave të tjera do të japë një përgjigje në lidhje me këto dyshime.

Kjo nuk ishte hera e parë e Dan Hutrës që përfshihej në krime. Në vitin 2003 ai është arrestuar për pengmarrje të nënës dhe kunatës dhe përdhunim  të kunatës tjetër ndërsa në 2007 u arrestua për vrasjen me thikë të bashkëshortes.

Në qershor të 2022 ai u rikthye në burg me akuzën e dhunës në familje ku u lirua pak javë më parë më 16 shkurt të këtij viti. Dan Hurda akuzonte bashkëshorten e tij Elenën se fëmijën që priste nuk e kishte me të dhe për këtë fakt e dhunonte. Ika e saj nga shtëpia dhe rikthimi tek prindërit e agravoi situatën aq sa ish-dhëndri paralajmëroi vrasjen që e vuri në zbatim pasi doli nga burgu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA