Lobimi rus në PD/ Berisha tregon për hetimin: Lulzim Bashën e lanë kryetar për interesa të Edi Ramës

02/03/2023 12:50

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke treguar se Lulzim Basha ka kryer lobime ruse gjatë kohës kur drejtonte Partinë Demokratike, thotë se për çështje është kryer një hetim i brendshëm.

I pyetur nga gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha nuk tregoi detaje, por tha se së shpejti do të bëhet publik hetimi për lobimin rus në PD.

Sipas ish-kryeministrit, ndonëse SHBA tregoi për lobimin e bërë nga Basha, ky i fundit u la në krye të PD-së për interesa të Ramës.

“Si ka mundësi që këtu erdhi Escobar në dhjetor 2021, tha mezi pres ta takoj Lulin në SHBA. Pavarësisht se Basha u akuzua nga autoritetet amerikane për financime ruse, u bë gjithçka që ai të mbetej kryetar i PD-së për interesa të Ramës dhe të largohej Berisha që nuk mund të ndiqte interesat ruse dhe të Ramës”.

Në daljen e tij për mediat, Berisha foli dhe për protestën e nesërme, protestë që mbahet në të njëjtën ditë me gjyqin për vulën e Partisë Demokratike.

“Do të jetë një protestë madhështore, e jashtëzakonshme”, tha Berisha, por nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të pranojë vendimin që do të shpallë gjykata.

Top Channel