Greqi, qytetarët dhurojnë gjak! Solidarizohen me personat e prekur nga aksidenti tragjik

02/03/2023 17:27

Qindra qytetarë janë rreshtuar për të dhuruar gjak në Larisa të Greqisë pas një aksidentit tragjik i cili ka shkaktuar dhjetëra viktima.

Ata kanë shprehur solidarizimin e tyre, pas iniciativës që Kryqi i Kuq Helen mori, për tu ardhur në ndihmë personave që ndodhen në spital.

Dy trena u përplasën pranë një tuneli jashtë qytetit qendror grek të Larisës para mesnatës të së martës. Një përplasje e fortë e cila deri më tani i ka marrë jetën 57 personave, dhe plagosur dhjetëra të tjerë, midis tyre gjashtë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë gjithë natës ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë dëshpërimisht mes llamarinave të djegura dhe mbeturinave në vagonat e shkatërruar të trenit të pasagjerëve që është përplasur.

Para spitalit në Larisa ku janë dërguar trupat e viktimave vazhdojnë të shkojnë prindër dhe të afërm të dëshpëruar pasi nuk mund të gjejnë të dashurit e tyre, të cilët po i nënshtrohen testit të ADN-së për të identifikuar personat që kanë humbur jetën. Informacione të pakonfirmuara flasin për të paktën 11 persona që konsiderohen të humbur .

Ndërsa vendi ndodhet në ditën e dytë të zisë kombëtare që ka shpallur kryeministri i vendit, përgjegjësi i stacionit të Larisës që është arrestuar ditën e djeshme. Gjithashtu në vendin e tragjedisë do të kryhet autopsia e aksidentit nga autoritetet përgjegjëse.

Sa u përket viktimave qeveria greke ka deklaruar se do të marrë përsipër shpenzimet publike të varrimeve të tyre, ndërsa ka ofruar grupe psikologësh pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë aksident.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA