Ukraina sulmon Rusinë me dronë, Putin forcon kontrollet në kufi

01/03/2023 16:14

Vladimir Putin i urdhëroi zyrtarët e tij të forcojnë kontrollet kufitare në mesin e një serie sulmesh me dronë nga Ukraina, për të cilat kreu i shtetit rus akuzon se po ndodhin brenda territorit rus gjithmonë e më shumë.

Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se një dron u rrëzua vetëm 60 milje larg Moskës, ndërsa dy të tjerë u goditën në Rusinë jugore.

Autoritetet lokale raportuan gjithashtu se tre drone shënjestruan rajonin Belgorod të Rusisë në kufirin me Ukrainën të hënën mbrëma, e njëri madje thuhet se ka fluturuar përmes dritares së një apartamenti.

Të tilla raporte vijnë pasi një avion spiun thuhet të jetë shkatërruar në një sulm të guximshëm sabotazhi në Bjellorusi, për të cilin janë përdorur dronë të blerë në dyqane.

Sulmi u mor përsipër nga aktivistë lokalë antiqeveritarë, të cilët e kundërshtojnë luftën e Moskës në Ukrainë. Vetë zyrtarët ukrainas nuk kanë marrë përgjegjësinë për asnjërin prej këtyre sulmeve që ka vënë në alarm Kremlinin.

Kievi thotë sakaq se Ukraina I mbijetoi sulmeve të ashpra ruse në infrastrukturën kritike shtetërore përgjatë muajve të dimrit. Që prej muajit tetor, Rusia e ka goditur infrastrukturën energjetike të vendit fqinj me raketa dhe dronë, duke i lënë miliona njerëz pa ujë, ngrohje dhe energji.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba foli ndërkohë për humbjet e Moskës, që përfshijnë sipas tij, edhe dështimin për të instaluar frikën në mesin e ukrainasve, pamundësinë për ta pushtuar Kievin, si dhe përballjen me disa valë të sanksioneve të Perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA