Përpjekjet e përfaqësuesit të Lartë të Perëndimit në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt nuk e ndaluan dot miratimin e ligjit të pronës shtetërore në Republikën Srpska të Bosnjës, i cili shihet si përpjekje për transferimin e kësaj prone nga shteti boshnjak tek entiteti serb.

Autoriteti përgjegjës për çështjet e pronës në Republikën Serbe pohoi se ligji për pronën e paluajtshme shtetërore që përdoret për funksionet e autoriteteve publike ka hyrë tashmë në fuqi nga mbrëmja e së martës. Aprovimi i tij u bë pavarësisht vendimeve paraprake të Schmidt për të shfuqizuar dekretin origjinal të krijimit të ligjit dhe vendimit të tij të 27 shkurtit për të pezulluar hyrjen në fuqi të ligjit deri sa Gjykata Kushtetuese e Bosnjës të dilte me një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.

Zyrtari i lartë ndërkombëtar e tentoi fillimisht bllokimin e legjislacionit vitin e kaluar, duke e shpallur jokushtetues dekretin e lëshuar nga Zhelka Cvijanoviç që asokohe ishte presidente e Republikës Sërpska. Ai insistoi që zgjidhja të vinte nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa u bëri thirrje në të njëjtën kohë politikanëve vendas të uleshin e të diskutonin në mënyrë që të dilej në një përfundim të arsyeshëm.  Apelet e tij me sa duket, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Republika Sërpska thotë se ligji synon të sigurojë që pronat e përdorura nga autoritetet e saj, përfshirë edhe qeverisjen lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe departamentet e tjera të themeluara nga Republika Sërpska, t’i përkasin asaj. Lideri serb i Bosnjes, Milorad Dodik asnjëherë nuk i ka fshehur qëllimet e tij për shkëputjen e këtij entiteti, dhe përpara disa muajsh nënvizoi se plani i tij thjesht ishte anuluar për momentin për shkak të luftës në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA