Qeveria ka gati VKM-te për të nisur auditimin teknik të pallateve që janë ndërtuar para viteve 73’. Të gjitha bashkitë nëpërmjet eksperteve të tyre apo kompanive private pritet te inspektojnë mbi 100 mijë godina që më pas do të certifikohen nga Instituti i Ndërtimit.
Sipas krerëve të këtij institucioni qëllimi kryesor i kësaj nisme është riparimi i objekteve dhe jo shembja e tyre.
“Këtu nuk flitet për shembje, por për riparim të objekteve që janë ndërtuar para 50 viteve. Të gjitha godinat në botë kalojnë auditive por nuk shemben, vetëm në rastet se do jetë ndonjë shembull flagrant dhe banorët duan që të shemben, vetëm atëherë mund të merret miratimi. Ky proces ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i banorëve dhe jo vetëm, por edhe përdoruesve të shtëpive me qira, të bankave që japin kredi dhe marrin kolateral pasuri imobiliare, shumë agjenci imobiliare dhe sigurisht shqetësimi i qeverisë është siguria e qytetarëve. E dimë shumë mirë që amortizimi është fizik si rezultat i faktorëve fizikë, por edhe i faktorëve njerëzorë. E dimë shumë mirë që në katet përdhe godinat janë dëmtuar nga përdoruesit”.
Inspektimet në godina sipas protokollit pritet të përfshijnë disa faktorë kryesorë.
“Do të përforcohen kur nuk kanë breza sizmikë duke bërë përforcimin e pikave kryesore në themele, do riparohen kafazet e shkallëve që kanë pësuar dëmtime nga tërmetet, do bëhet heqja e abuzimeve mbi tarraca siç janë depozitat e mëdha të ujit që prishin qendërzimin e një ndërtese, si edhe do të prishen shtesat e kateve pa leje”.
Sa i përket banorëve që mund të preken nga shembja e një ndërtese, pritet që të dalin VKM të tjera rregulluese për të qartësuar edhe këto situata për banorët ose pronarët e truallit.
Top Channel