Inside Story/ Prokurori i antimafias: Grupet puljeze pikë referimi për organizatat shqiptare

01/03/2023 21:37

Dëshmitë dhe përgjimet permanente të strukturave hetimore zbuluan dhjetëra episode trafiku.

Në një rast u arrit të dokumentohej transportimi me gomone i një sasie prej 660 kilogramësh kanabis nga shtetasit Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. Pronari i sasisë së drogës ishte Saimir Kurti, i vënë në pranga në kuadër të operaconit “SHPIRTI”. Në atë kohë, ai mbante detyrën e drejtorit të zyrës së Punës për Kavajën.

Përgjimet, zbuluan edhe rolin e shoqëruesit të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, shtetasit Hekuran Marku. Ai rezulton përgjegjës për trafikimin e së paku 1 ton kanabisi së bashku me Elton Bregasin i njohur me nofkën “Pinxho”. Këtu, fjala është vetëm për raste të dokumentuara me prova, pasi sasitë që kanë kaluar përmes rrugës detare janë disa herë më shumë.

Nga dokumentet e autoriteteteve italiane në kuadër të operacionit “Shefi”, u zbulua ekzistenca e dy grupeve, që bashkëpunonin në Shqipëri dhe Itali. Transportuesit kryesorë të trafikut ishin Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini të cilët u arrestuan së bashku me anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

“Për sa i përket raporteve me klanet puljeze, kanë një rol të rëndësishëm, janë ata që shpërndajnë sasi të mëdha, por kanë nevojë për pika referimi në territor”, u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.

Deklaratat e bëra nga bashkëpunëtorët e drejtësisë janë konfirmuar përmes provave materiale të siguruara. Këto dëshmi, çuan drejt zbulimit të plotë të skemës kriminale në kuadër të së cilës ka vepruar organizata. Në dosje dalin dhjetëra emra të tjerë porositësish shqiptarë dhe italianë. Droga e cila vinte nga Shqipëria ishte e destinuar kryesisht për rajonet e jugut të Italisë, si Kalabria dhe Siçilia.

Krahas kësaj, deklaratat e bëra konfirmuan pjesëmarrjen në këtë aktivitet kriminal të dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët së bashku me Pinxhon-n ishin pronarë të lëndëve narkotike, të njohur si Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët në atë kohë punonin si punonjës policie si truproja në eskortën e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Top Channel