Fatos Tushe do të vuajë tre vite e katër muaj heqje lirie pasi u shpall fajtor dhe për veprën penale “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi me 5 vite ish-kryebashkiakun e Lushnjës, por duke përfituar nga ulja e dënimit, atij i mbeten 3.4 vite burg.
Më parë nga shkalla e parë Tushe ishte dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje, kur u dënua me 2 vite e 4 muaj burg.
Ndërkohë, Apeli i GJKKO ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit përfundimisht të shumave monetare të gjetura në shtëpitë e Fatos Tushes, Flamur Peqinit, Gentian Nushit dhe Ilva Billos.
Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik 2021 së bashku me ish-vartësit e tij për akuzën e shpërdorimit të detyrës, lidhur me një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës.
Si u zbulua abuzimi me tenderin prej 24 mln lekësh
Hetimet e SPAK zbuluan abuzime me tenderin prej 24 milionë lekësh për rehabilitimin e një kanali vaditës në Bishqem të Lushnjës dhe pas hetimeve dyshohet se ish-kryebashkiaku i Lushnjës ka kryer shkelje për dhënien e tenderit në favor të miqve të tij.
Ai u gjykua së bashku me 19 të pandehur të tjerë, punonjës, juristë, drejtorë te ndërmarrjes së pasurive publike të këtij qyteti të përfshirë në shkelje. Tushe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e SPAK duke thënë se nuk ka bërë shkelje në tendera dhe se ishte detyra e tij të kujdesej për banorët e zonës dhe në këtë mënyrë ka kërkuar pafajësinë. Sipas avokatit të Tushes, i mbrojturi nga ai nuk kishte asnjë kompetencë apo funksion në lidhje me procedurat e prokurimit që të nënshkruajë akte të tilla dhe sipas tij vlerësimet mbi të nuk janë objektive dhe akuzat nuk mbrohen me fakte konkrete.
Për Flamur Peqinin prokuroria e posaçme kërkoi 3.4 vite burg, Ibrahim Lamin 1.6 vite, Gazmend Çelën 1.8 vite, Gentian Nushin 2.8 vite, Leonard Sefën 1.8 vite, Blerta Turkun 1.8 vite, Xhemal Haskon 1.8, Andri Musho 1.4 vite, Margarita Gjermeni 1.8 vite, Bektash Nexha 1.4 vite, Ani Simoni 1.4 vite. Në vendimin e dhënë ndaj tyre, të pandehurit përfitojnë gjykimi të shkurtuar sipas SPAK dënimi duhet të zbresë në shërbim prove për tre vite.
Top Channel