Një shqiptar ishte mes pasagjerëve të trenave që u përplasën afër Larisës.
Dhimitër Zonga ishte në vagonin e fundit gjatë udhëtimit. Ai u dërgua në spitalin e Selanikut dhe tani ndodhet në shtëpi.
Greqia është shokuar nga një prej aksidenteve më të mëdha hekurudhore në historinë e saj.
Një tren pasagjerësh me 350 udhëtarë është përplasur me një tren mallrash në luginën e Tembit pranë Larisës.
Si pasojë 36 persona kanë gjetur vdekjen dhe 85 janë plagosur, prej të cilëve 25 ndodhen në gjendje kritike. 270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.
Përplasja ka ndodhur pak pas mesnate kur treni i pasagjerëve me destinacion nga Athina në Selanik është përplasur me një tren mallrash me drejtim të kundërt dhe ka marrë zjarr.
Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Mbi 40 ambulanca kanë shkuar në vendngjarje, si dhe repartet e zjarrfikësve me 150 vetë, 32 policë me 15 mjete kanë izoluar vendin e aksidentit , spitalet e gjithë zonës janë vënë në gatishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendngjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetësisë.
Top Channel