Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rihap hetimet për 21 Janarit pas një kallëzimi depozituar nga familjarët e 4 të vrarëve në bulevard.
Kjo është përgjigja e kreut të SPAK Altin Dumani, për Mark Nikën xhaxhanë e Aleks Nikës vrarë në 21 Janar dhe Prokurorinë e Tiranës.
Ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues datë 16.02.2023 me qëllim vlerësimi nga ana juaj. Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi të SPAK atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë të SPAK.
Disa javë më parë familjarët e viktimave të 21 janarit dorëzuan në SPAK një kallëzim ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ndrea Prendit dhe Agim Llupos se në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e një organizate kriminale në shkelje të ligjit për përdorimin e armëve, shkaktuan vdekjen e katër personave. Bashkëlidhur me këtë kallëzim përmendet edhe prova më e re një regjistrim audio i bërë publik nga gazetari Artan Hoxha nga ku dëgjohet ish kreu gardës Ndrea Prendi i cili urdhëron përdorimin e armëve nga efektivët e gardës.
Për herë të parët kjo shkresë e SPAK zbulon se në kasetën e pretenduar dëgjohet edhe zëri i ish kryeministrit Berisha që komunikon urdhra.
SPAK i kërkon prokurorisë që të bëjë këto verifikime dhe nëse gjenden fakte që janë kompetence e SPAK të kalojnë të gjithë dosjen pranë kësaj prokurorie.
Nga hetimi i dosjes së 21 janarit ka mbetur pa përgjigje se kush e vrau Aleks Nikën.
Faktet e reja përfshi edhe kasetën me audion e regjistruar mund të hedhin një ditë të re mbi këtë ngjarje për të cilën familjarët e viktimave thonë se nuk është hetuar dhe nuk janë dënuar të gjithë autorët.
Top Channel