Mësuesit pa “diplomë”/ Skema për të tërhequr në arsim specialistë që nuk kanë studiuar pedagogji

28/02/2023 15:24

Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit që hap dyert e punësimit në shkolla edhe për të diplomuarit në fusha të ndryshme si gjuhë shqipe, matematikë, histori, etj., pasi kanë kryer një program të shkurtër për formimin psiko-pedagogjik, vlerësohet si i drejtë nga ekspertët, duke qene se më parë profesionistët në këto profile nuk punonin dot si mësues edhe pas përfundimit të të dyja cikleve të studimit bachelor dhe master, pa realizuar një master të dytë me profil mësuesie.

“Ka qenë absurde që më lehtë punoje si pedagog dhe nuk të lejohej të punoje si mësues në arsimin parauniversitar. Kryesisht e vuajnë të diplomuarit në fusha shkencore si në fizikë, matematikë, që nuk punojnë dot në kompani apo qendra kërkimore e në mungesë të tyre duan të punojnë si mësues që të mos ju digjet diploma”, tha Valbona Nathanaili.

Përpjekjet për të tërhequr profesionistët jashtë sistemit, sipas pedagoges Valbona Nathanaili duhet të shoqërohen me politika arsimore për të dëmshpërblyer mësuesit që janë brenda sistemit e të kthehet në një profesion të lakmuar si për kushtet e punës edhe pagesat.

“Duhet të kthehet në një profesion tërheqës, të jenë të motivuar që të kenë arsye pse ta zgjedhin”, u shpreh ajo.

Mirëpo udhëzimi i cili është i vlefshëm për vitin e ardhshëm akademik krijon një pabarazi, vënë re ekspertët, pasi studentët që ndiqnin programet e mësuesit kishin mesatare më të lartë, se sa të tjerët në profile të tjera.

“Për mësues mesatarja duhet 7.5, ndërsa ata që kanë mbaruar histori psh janë regjistruar me 6.5, këta do pranohen?”, shtoi më tej Nathanaili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA