Miklovan Tufa është nga ata djemtë shqiptarë të Dubait, por jo nga ata të rrezikshmit që teksa kryesojnë listat e të shumë kërkuarve porosisin ngjarje prej andej.
I riu u kthye enkas nga Emiratet e Bashkuara Arabe për tu përballur me akuzën e drejtimit të motoçikletës pa dokumente, mbas një aksidenti pa të dëmtuar.
Katër vite më parë Miklovani po drejtonte një motor pa leje dhe gjatë kësaj aventure ai përplasi disa automjete të parkuara.
Ai u vetdorëzua në komisariat dhe tregoi krimin që kishte kryer duke u kthyer në një të hetuar në mungesë.
“U paraqita vetë se ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Fatkeqësisht m’u desh të largohesha nga Shqipëria jetoj jashtë dhe procedurat vijuan pa dijeninë time, më caktuan një avokat nga shteti pa dijeninë time dhe nuk kam qenë në dijeni as të vendimeve dhe as të dënimit që unë mora”, tha ai.
Me kalimin e muajve teksa i riu vazhdoi jetën duke u larguar në Angli e më pas në Dubai ku u punësua në sektorin e turizmit, edhe dosja vazhdoi udhëtimin nga policia në prokurori dhe më pas në gjykatë.
Gjykata e dënoi në mungesë me tre muaj burg, ndaj për Mikolovanin erdhi momenti që t’i dorëzohej drejtësisë për herë të dytë.
“Për këtë kam ardhur katër herë, kanë ndodhur kleçka gjatë rrugës për arsye se ishte edhe pjesa e coividit, tani që jam kthyer përfundimisht në Shqipëri për këtë çështje. Më është konvertuar në 14 muaj shërbim prove”, theksoi ai.
Për 2022 Gjykata e Tiranës ka shënuar si të dënuar 904 shtetas për akuzën e drejtimit të mjetit pa dokumente dhe në gjendje të dehur.
Top Channel