Një peshkarexhë 18 metra e gjatë është fundosur mesditën e sotme në afërsi të Sazanit.
Peshkarexha me emrin “Bashkimi” ka qenë duke peshkuar 3 milje në veri te Sazanit me tre peshkatarë në bord, pronari i anijes Flori Mezani së bashku me punonjësit.
Fillimisht personat që ishin në bord kanë kërkuar ndihmë, pasi tubot e shkarkimit që merr ujë nga deti janë çarë dhe për pasojë pjesa e motorit ka marrë ujë.
Ndërkohë krye-peshkatari Flori Mezani ka dhënë njoftimin. Pas marrjes së njoftimit, në ndihmë të tyre ka ardhur policia kufitare si dhe roja bregdetare.
Ata kanë shpëtuar pjesëtarët e bordit dhe i kanë dërguar në Portin e Vlorës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas informacioneve, defekti ka qenë në pjesën e pompave të ujit të lidhura me pjesën e detit, të cilat kanë marrë ujë dhe kjo ka sjellë fundosjen e anijes në 130 metra thellësi.
Anija kishte dalë sot në orët e para të ditës për peshkim dhe ishte duke gjuajtur në veri të ishullit të Sazanit tre milje larg tij. Anija kishte pak kohë që kishte bërë rimont capital nga pronari i saj.
Top Channel