Finlanda, njëri prej vendeve të Europës me kufirin më të gjatë me Rusinë, nis sot një debat parlamentar me synimin të përshpejtojë përpjekjet për anëtarësim të NATO-s, duke rritur kështu gjasat që në këtë mënyrë, të lërë pas fqinjin dhe partneren e hershme ushtarake, Suedinë.
Rruga e anëtarësimit të Suedisë në aleancën më të madhe ushtarake të globit po pengohet nga Turqia. Të shqetësuara nga pushtimi i Ukrainës, Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politikat e tyre disa dekadëshe të mos-angazhimit ushtarak dhe aplikuan për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut majin e vitit të kaluar.
Por teksa vetë përballet me shumë më pak pengesa diplomatike se Stokholmi, Helsinki duket se do të zgjedhë të ecë përpara, në një kohë kur edhe opinioni publik atje e mbështet hyrjen në aleancën ushtarake transatlantike.
Zgjedhjet parlamentare në Finlandë do të mbahen në 2 prill, dhe lidershipi atje duket po kërkon të shmangë vonesat e të mos presë Suedinë që ka mbetur në vendnumëro nga vota bllokuese e Ankarasë.
Votimi në parlamentin finlandez pritet të zhvillohet të mërkurën, dhe në momentin që projektligji miratohet, atëherë vendi mund të lëvizë shpejt drejt ratifikimit përpara se të krijohet një qeveri e re. Legjislacioni pritet të kalojë pa shumë kundërshti, siç u pa qartë edhe në një përpjekje fillestare majin e vitit të kaluar, kur ideja u mbështet nga 180 deputetë në parlamenti 200 anëtarësh.
Turqia konfirmoi një ditë më parë se mund të veçojë pranimin e Finlandës nga ai I Suedisë, të cilën e konsideron si një parajsë të sigurt për ata që i sheh si terroristë, sidomos pjesëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Top Channel