Prej 4 vitesh në kërkim si pjesë e një grupi kriminal për kultivim narkotikësh , e implikoi numri telefonit. Fiksi zbulon se dokumenti i shitjes së numrit ishte firmosur nga vetë punonjësit e kompanisë celulare. Punonjësit kishin regjistruar fiktivisht 113 numra në emër të të akuzuarit që prej 2019 është shpallur në kërkim.
Fiksi solli rastin qytetarit nga Tepelena të quajtur Hasan Xhima, i cili në gusht të viti 2019 ka marrë informacion nga mediat që është në kërkim, pasi është dënuar në mungesë për grup të strukturuar kriminal në Gjykatën e Krujës.
Hasani tregoi për emisionin Fiks Fare se ne fillim nuk e besoi, por më vonë autorizoi dy avokatët e tij me prokurë të posaçme nga shteti grek për ta ndjekur çështjen e tij. “Jam hetuar dhe gjykuar nga Enkeleda Hoxha që sot ndodhet në burg dhe Bujar Memia që sot është jashtë sistemit” thotë Xhima. Ai sqaron se me këtë çështje e lidh vetëm një numër telefoni që është nxjerrë në vitin 2013, në Kamëz Tiranë, me operatore Joana Balliu. “Brenda kësaj dite me 22 nëntor 2013 janë marrë 5 numra telefoni në emrin tim. Dhe ne vazhdim janë marrë 84 numra nga kompania e telefonisë celularë të cilët janë lëshuar në emrin tim, në këtë datë unë kam qenë në punë në Greqi” thotë Hasani .
Emisioni Fiks Fare publikoi sistemin TIMS të qytetarit i cili vërteton ato që ai deklaron për emisionin investigativ.
Ai tregon se nuk ka qenë kurrë në Krujë , në vendin që është mbjellë lënda narkotike për të cilën akuzohet z.Xhima bashkë më 13 qytetarë të tjerë, të cilët sipas organit të akuzës e kanë bërë këtë gjë në bashkëpunim. Zoti Xhima 69 vjeç tregon për Fiksin se është invalid dhe nuk mund të punojë, aktualisht ndodhet në Greqi, ku i kanë skaduar të gjitha dokumentet dhe rezulton i paligjshëm.
Fiksi solli të gjitha dosjet e çështjes Xhima, në të cilat tregohet kalimi i çështjes së tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ku përfundimisht është vendosur gjykimi i tij në Gjykatën e Shkallës së parë Krujë për veprën penale të kultivimit të narkotikëve në bashkëpunim. Ky vendim u mor pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë z.Bujar Memia.
Gjykimi i z.Xhima po bëhet nën masën e sigurisë arrest me burg të dhënë që në vitin 2019, po nga kjo gjykatë. Por nuk mbaron me aq, z.Xhima ka ngritur në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për punonjësen që ka shitur numrin e telefonit që e implikon në vepër penale dhe kompaninë celulare. Për shkak të zvarritjes së çështjes në këtë organ akuze qytetari i është drejtuar edhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në përgjigjen e të cilit thuhet se Prokuroria Tiranë ka vërtetuar se numrat në emër të z.Xhima nuk janë blerë dhe përdorur nga ai.
Fiksi solli dosjen e plotë të prokurorisë, e cila vendos të çojë në gjyqë punonjësit e kompanisë celulare për veprën penale të “Falsifikimit të vulave , stampave dhe formularëve”, duke faktuar kështu se numri që implikon të akuzuarin nuk është blerë dhe përdorur nga ai.
Pra Prokuroria e Tiranës thotë se z.Hasan Xhima nuk ka përdorur kurrë atë numër telefoni për të cilin, Prokuroria dhe Gjykata e Krujës e kanë fajësuar qytetarin. E vetmja shpresë për të ka mbetur rigjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Krujë.
Top Channel