Newcastle nuk ia doli në finalen e Carabao Cup teksa u mposht në Wembley nga Manchester United me rezultatin 2-0.
“Qymyrxhinjtë” duhet të presin ende për një titull madhor ndërsa trajneri Eddie Howe pas sfidës u shpreh se këtë dhimbje për humbjen me United duhet ta kthejnë në forcë, ndërsa shpreson që skuadra të rikthehet shpejt të luftojë sërish për titull.
“Të vjen keq sepse humbja e një finaleje të lë “shije të hidhur”, jemi të dëshpëruar. Megjithatë, unë tani shoh nga e ardhmja dhe shpresoj që të rikthehemi shpejt të luftojmë sërish për një titull.
Fansat kanë qenë të mrekullueshëm në këtë sezon dhe kur i shoh të dëshpëruar ndjej shumë dhimbje. Tani duhet të motivohemi dhe të marrim rezultate pozitive që t’i bëjmë ata sërish të lumtur.
Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, por një ndeshje fitohet në zonën kundërshtare. Nuk ishim të mirë mjaftueshëm në mbrojtje, por edhe në sulm nuk u shfaqëm efikas. Në fakt këtë problemin me sulmin e kemi prej disa javësh. Tani të mendojmë për Manchester City, është ndoshta ndeshja më e vështirë në kalendar”, u shpreh Howe.
Top Channel