Takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka përfunduar pa marrëveshje në Bruksel.

“Nuk kemi arritur marrëveshje sot. Zoti Kurti ka ardhur këtu për të nënshkruar diçka por nuk jemi marrë vesh. Kemi kërkuar të punojmë më shumë në lidhje me krijimin e asociacionit. Sido që të flitet, asociacioni është pika e parë për neve. Kushdo që nuk e merr vesh marrëveshjen e 2013 i bie që nuk dëshiron ta kuptojë realitetin. Do të takohemi më 18 mars sërish. Takimi radhës në Maqedoni”, tha Vuçiç.

“Dy liderët e kanë diskutuar këtu së bashku për herë të parë. Kemi pasur tensione në formate të ndryshe. Liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme e gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiq e Kurti janë pajtuar që nuk do të duhet diskutime tjera për propozimin evropian”, ka theksuar Borrell. Sipas tij ky propozim është mbi të gjitha për qytetarët e të dyja vendeve.

“Kjo marrëveshje është mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Jo për BE-në por qytetarët e Kosovës e Serbisë. Njerëzit mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës e Serbisë duke përdorur pasaportat e veta të njohura. ID-të e targat. Njerëzit mund të studiojnë e punojnë pa hamendësuar nëse diplomat e tyre a ku i marrin mund të jetë çështje. Marrëveshja sjellë mundësi të reja ekonomike, duke rritur asistencën financiare, kooperim biznesi e investime të reja Kosovë e Serbi. Mundësi punësimi më të mirë. Pa burokraci të panevojshme, nënkupton më tepër tregti, pasi certifikatat eksport-import nuk do të jenë të nevojshme./ Për serbët në Kosovë më tepër siguri, qartësi e parashikueshmëri, kur vjen te mbrojtja e të drejtat në Kosovë, përfshirë edhe për Kishat Ortodokse serbe”, është shprehur Borrell.

Ky takim pasoi pas takimeve veç e veç të Kurtit dhe Vuçiçit me evropianët, më herët gjatë së hënës.

Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak më parë ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft i këtij plani që ka qarkulluar në media, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashikohen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kryeministri Kurti, të dielën ka pranuar një letër të përbashkët edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin evropian.

Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA