Sot vendosen në Bruksel përballë njëri-tjetrin kryeministri i Kosovës Albin Kurti e presidenti serb Aleksandar Vuçiç për një takim të vështirë për të dyja palët.
Ishte trysnia e madhe ndërkombëtare që solli këtë përballje në fokusin e të cilës është plani europian që synon t’i hapë rrugën arritjes së një marrëveshjeje normalizimi të marrëdhënieve mes dy vendeve, ç’ka nuk është arritur dot në një dekade procesi të dialogut mes dy palëve, të ndërmjetësuar nga blloku europian.
Pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare, që këto kohë i ka shtuar ndjeshëm ecejaket diplomatike në dy kryeqytetet përkatëse, janë të mëdha. Ndërkombëtarët duan që dy liderët ta pranojnë zyrtarisht propozimin, me të cilin janë pajtuar vetëm në parim. Marrëveshja finale pas kësaj, do të ishte cështje muajsh. Në këtë dinamikë të re kërkohet zotimi i Prishtinës për themelimin e Asociacionit. Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi sot se propozimi i Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet njw mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i DASH tha se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE. “Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”, thuhet në deklaratë.
Një ditë më parë, këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, tha se SHBA pret një përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet sot në Bruksel. Propozimi i BE-së thuhet se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Edhe pse Kosova dhe Serbia e kanë pranuar planin, por ai nuk është prezantuar asnjëherë zyrtarisht në publik. Pjesë të këtij plani kohë pas kohe, kanë publikuar mediet dhe aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja e Kosovës nga Serbia.
Por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një angazhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Ky plan është mbështetur edhe nga SHBA.
Top Channel