Kryeministrat e Malit të Zi dhe Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për shtyp, kanë reaguar për rastin e dhunimit të profesorit shqiptar Petraq Milo në doganën malazeze disa javë më parë.
Abazoviç u shpreh se janë marrë të gjitha masat, ndërsa theksoi se shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë pse ndihen të rrezikuar.
“Më vjen shumë keq për këtë incident, i kemi kërkuar falje profesorit, kemi marrë masa menjëherë Kushdo që vjen në Mal të Zi do të merrej e njëjta masë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën, ka të bëjë me një moment që ishte katastrofal. Çdo ditë mijëra njerëz kalojnë kufirin pa asnjë problem, ndodhin edhe kështu raste.
Mendoj se profesori nuk e ka prishur radhën, mendoj se ai ka dashur ta rregullojë çështjen. Është bërë viktimë e këtij incidenti. Më vjen shumë keq. Kushdo është i mirëseardhur në vendin tonë”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se dhunimi i profesorit është një rast sporadik
“Arsyeja kryesore për të cilën të gjithë duhet të ndiheni të qetë, është se vullneti i të dyja palëve është 100 për qind pozitiv. Nuk ekziston ndonjë gjë që ushqen këtë lloj sjellje. Duhen marrë masa, por nuk duhet shkuar përtej, se këto janë raste të izoluara”.
Është rast sporadik, më ka mjaftuar se që në minutën e parë që telefonova Abazoviçin, i kishte marrë të gjitha masat. Edhe i kishte kërkuar ndjesë profesorit. E gjithë kjo është bërë me klas dhe me urtësi.
Disa ditë më parë, në rrjetet sociale u publikua një video ku dukej keqtrajtimi i profesorit universitar Petraq Milo, ish-këshilltar i ish-presidentit Ilir Meta.
Milo ka rënë pre e veprimeve arbitrare e dhunës së një punonjësi të doganës malazeze së bashku me familjen e tij mes pretendimeve se nuk kishte respektuar radhën në kufi. Ngjarja ka ndodhur në 15 janar në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan, afër Ulqinit, por është bërë publike vetëm tani.
Policia njoftoi se janë marrë masa dhe veprime zyrtare që kanë rezultuar me zbulimin e identitetit të të gjithë personave të përfshirë në incident dhe po përcaktohet përgjegjësia e zyrtarëve të Policisë
Top Channel