Kamomili është një lule e vyer, historia e së cilës buron nga Egjipti i lashtë.

Atje janë zbuluar edhe përmendjet e para të kësaj luleje që besohej se ofronte shpëtim nga temperature e lartë.

Përgjatë historisë së njerëzimit, kamomili është përdorur dhe vazhdon të përdoret kundër mbi 100 problemeve shëndetësore.

Shumë njerëz preferojnë ta rrisin vetë kamomilin në shtëpi ose në kopësht.

Arsyeja nuk ka të bëjë vetëm me bukurinë e luleve por edhe për faktin se kjo bimë ka aftësinë të qetësojë nervat.

Si Të Mbillni Kamomilin Në Kushtet E Shtëpisë
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, dy llojet më të përdorura të kamomilit për mbjellje janë: ai Romak (Chamaemelum nobile) dhe ai Gjerman (Matricaria recutita).

Kamomili Romak rritet për shumë vite por ka prodhimtari të ulët ndërsa ai Gjerman ka prodhimtari të lartë dhe konsiderohet një bimë vjetore.

Nëse zgjidhni kamomilin Romak atëherë mund ta rrisni atë nëpërmjet farës, filizave apo rrënjëve.

Farat duhen mbjellë 6-8 javë përpara ngricës së fundit të pritshme.

Mbusheni vazon me dhe’ të lehtë dhe futini farat 6 milimetra nën të.

Vazoja duhet ujitur rregullisht por nuk duhet tepruar.

Temperatura e dheut duhet të jetë e ngrohtë.

Filizat pritet të dalin pas 14-21 ditësh.

4 javë më vonë në vazo duhet të hidhni tretësira fertilizuese ushqyese për t’u dhënë filizave më shumë fuqi.

Mbrojini vazot nga nxehtësia dhe era por nxirrini rregullisht në ballkon.

Kur filizat të jenë të fortë, transferojini ato në vazo më të mëdha dhe mbajini në ajër të pastër dhe në vend të ndriçuar mirë nga dielli.

Në rastin e kamomilit Gjerman, atë duhet ta mbillni në fillim të pranverës dhe nëse zgjidhni filizë të gatshëm, ata do t’i mbijetojnë edhe një ngrice të lehtë.

Farat nga ana tjetër kanë nevojë për 10 ditë për të lëshuar filizë të cilët rriten ngadalë.

Gjatë rritjes së kamomilit, pastrojeni vazon nga barërat e këqinj dhe ujiteni rregullisht.

Fertilizimi duhet të jetë i rregullt por organik.

Kamomili është një bimë që mban larg insektet dhe shoqëron më së miri bimë të tjera që mund të rrisni në ballkon.

Kur të merrni kamomil për çaj këputini me kujdes që të mos hiqni rrënjët.

Mund të bëni çaj me kamomil të freskët por edhe t’i thani lulet.

Sekretet e Çajit Të Kamomilit
Kamomili ka aftësi shumë të mira qetësuese dhe gjumë-sjellëse.

Shija e çajit të luleve të kamomilit të rritur vetë në shtëpi është shumë më e mirë se ajo e bustinave.

Çelësi i përgatitjes së çajit të fortë të kamomilit është tek sasia e luleve.

Pra, nëse ju dëshironi të përgatisni një çaj të fortë në shije dhe në vlera, duhet të zgjidhni më shumë lule dhe jo të zieni pak lule në më shumë kohë.

Në një rast të tillë, zierja e tepërt e luleve do të prodhojë një çaj me shije të hidhur.

Një mënyrë tjetër për përfitimin e më shumë vlerave të kamomilit është shtypja e luleve që ato të çlirojnë mirësinë e tyre.

Pasi të ketë valuar uji, kamomili duhet lënë në ujë të nxehtë për pesë deri në shtatë minuta dhe më pas duhet kulluar.

Ai duhet ëmbëlsuar me mjaltë për më shumë vlera dhe jo me sheqer./AgroWeb

Top Channel