Moti pengon ankorimin e anijeve/ Në Durrës, linja e Ankonës has probleme, trageti i Barit me 12 orë vonesë

26/02/2023 22:48

Moti i keq ka shkaktuar probleme në të dyja brigjet e Adriatikut, duke shkaktuar vonesa dhe në mbërritjen e trageteve.

Me vonesë, rreth një orë e gjysmë, në portin e Durrësit ka mbërritur paraditen e sotme trageti i linjës së Ankonës.

Nga tre tragete të parashikuara mëngjesin e sotëm, në kohë me vetëm 20 minuta vonesë ka mbërritur një nga tragetet e linjës Bari-Durrës. Për shkak të kushteve aspak të favorshme detare, trageti tjetër i kësaj linje që duhej të mbërrinte gjithashtu në orën 08.00 është nisur me vonesë nga Bari dhe ka mbërritur me 12 orë vonesë, ndërsa ende nuk është ankoruar.

Kjo pasi trageti i Ankonës që duhej të nisej sërish sot, ka këputur litarët gjatë manovrave për t’u nisur. Trageti drejt Ankonës do të nisej rreth orës 19.00 por si rezultat i erës së fortë ka këputur litarët dhe ka  prekur bankinën. Kapiteneria e portit ka konfirmuar këputjen e litarëve nga era e fortë dhe në ndihmë të tragetit ka shkuar rimorkiatori dhe aktualisht trageti po përpiqet të dalë nga porti e të nisë lundrimin drejt Ankonës.

Sipas burimeve nga kapiteneria e portit të Durrësit, deti regjistron forcën 6-7 ballë dhe dallgëzimi në det të hapur është i fortë, duke vështirësuar lundrimin për anijet. Kjo situatë detare ka pezulluar përkohësisht lundrimin për anijet e tonazhit të ulët në Adriatik, përfshirë këtu dhe anijet e peshkimit.

Moti i keq paraditen e sotme ka bërë të mundur edhe fikjen e të gjitha vatrave të zjarrit që ishin ndezur në Fier dhe Vlorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA